Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqet ta tërheqë vendin e tij në luftë me Ukrainën.
Ai tha se qëllimi i Amerikës ishte të përdorte një konfrontim si pretekst për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë, shkruan BBC, transmeton Insajderi.com.
Putin tha gjithashtu se SHBA-ja po injoronte shqetësimet e Rusisë për forcat e aleancës së NATO-s në Evropë.
Të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkroi në Twitter se Shtetet e Bashkuara ishin “të përkushtuara për të parandaluar një konflikt që nuk është në interesin e askujt”.
Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur rreth 100,000 trupa – të pajisura me gjithçka, nga tanket dhe artileria te municionet dhe fuqia ajrore – në kufirin e Ukrainës.
Kjo vjen tetë vjet pasi vendi aneksoi gadishullin jugor të Krimesë së Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.
Moska nga ana e saj akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku të paktën 14,000 njerëz janë vrarë dhe rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi të martën se një pushtim rus “nuk do të ishte një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë – kjo do të ishte një luftë në Evropë, një luftë në shkallë të plotë”./Insajderi.com