
Së paku 52 fëmijë janë vrarë gjatë protestave në Mianmar, që filluan pasi më 1 shkurt në këtë vend u krye grusht shtet, bëri të ditur Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë, transmeton Insajderi.
Në raportin ditor të AAPP-së theksohet se gjatë 24 orëve të fundit për vdekje ka pësuar edhe një person, raporton Andalu Agency (AA).
Më tej theksohet se numri i përgjithshëm i të vdekurve është rritur në 781, prej të cilëve 52 të mitur.
Në raportin e AAPP-së shtohet se 3.843 persona gjenden në paraburgim, ndërsa për së paku 1.561 persona është lëshuar urdhër-arrest.
Ushtria e Mianmarit më 1 shkurt të këtij viti kreu grusht shteti dhe mori pushtetin nën arsyetimin se zgjedhjet e nëntorit kanë qenë të parregullta.
Ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme njëvjeçare dhe arrestoi krerët e Qeverisë, përfshirë edhe lideren e Mianmarit, Aung San Suu Kyi.
Protestat masive kundër grusht shtetit filluan më 6 shkurt. /Insajderi.com