Qendra amerikane del me hartë dhe kohë të re për rënien e raketës kineze, përfshihet Kosova dhe Shqipëria

Qendra amerikane del me hartë dhe kohë të re për rënien e raketës kineze, përfshihet Kosova dhe Shqipëria

Qendra amerikane për kërkime dhe zhvillim hapësinor, ka njoftuar se mbetjet e raketës kineze që ka dalë nga kontrolli priten të bien në sipërfaqen e tokës, transmeton Insajderi.

Përmes një postimi në Twitter, organizata “Aerospace Corporation” ka shkruar se parashikimi më i ri nga Qendra e saj për Studime të Rihyrjes dhe Mbetjeve në Orbitë, është që hyrja e raketës “Long March 5B” të ndodhë tetë orë më herët ose tetë orë më vonë se ora 4 e 19 minuta në mëngjesin e së dielës.

Parashikimi më i ri i bazuar në informata është se vendi i mundshëm për rihyrjen e raketës në orbitën e Tokës është afër pjesës veriore të Zelandës së Re, por shtoi se rihyrja është e mundshme kudo në zonën e paraqitur në hartë, shkruan Reuters.

Në hartë përfshihen një pjesë e Ballkanit (përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë), pjesa jugore e Azisë, pjesa lindore e Afrikës, Oqeani Indian, rreth gjysma e Oqeanit Paqësor, Australia me Oqeani dhe pjesa veriperëndimore e Amerikës Veriore, përfshirë Alaskën e ShBA-së dhe një pjesë të territorit të Kanadasë.

Raketa “Long March 5B” u lëshua në qiell nga ishulli kinez, Hainan, më 29 prill. Ajo e dërgoi në hapësirë modulin Tianhe, që do të shërbejë për ekuipazhin e një stacioni të përhershëm hapësinor kinez.

Në maj të vitit 2020, disa pjesë të lëshimit të parë të kësaj rakete kishin rënë mbi territorin e Bregut të Fildishtë, duke dëmtuar ndërtesa, ndonëse nuk ishte raportuar për persona të lënduar./Insajderi.com