Qeveria e Kroacisë kërkon ashpërsim të masave ndaj Serbisë

Qeveria e Kroacisë kërkon ashpërsim të masave ndaj Serbisë

Qeveria Kroate kërkon që Zagrebi t’i përgjigjet sa më ashpër Serbisë, e  cila e ka shpallur persona non grata zëvendëskryeministrin kroat dhe njëkohësisht ministrin e mbrojtjes Damir Krstiçeviq, me masa të reciprocitetit si për shembull, ngrirje të negociatave të Serbisë me BE apo ngritjen e çështjes së kufirit në Danub, shkruan Vecernji list i Zagrebit.

Dje, qeveria e Serbisë ka vendosur që ta shpallë të padëshiruar zëvendëskryeministrin kroat Krstiçeviq, si përgjigje në vendimin kroat për moslejimin e hyrjes së ministrit të mbrojtjes serbe Aleksandar Vulin në Kroaci. Ai kishte deklaruar që do të shkojë në Jasenovac ku do “të ballafaqohet me nacionalistët kroat”.

Gazeta, duke u thirrur në burimet e veta, pretendon se hapi i ardhshëm diplomatik i Kroacisë do të jetë tërheqje urgjente e ambasadorit të vet në Beograd, Gordan Bakota.

“Derisa Serbia nuk ndërpret riafirmimin e politikës serbomadhe ndaj Kroacisë dhe derisa nuk e largojnë Sheshelin nga parlamenti, do të ketë masa ndaj Serbisë. Në fund të fundit, ata duhet t’i respektojnë ligjet e veta të cilët nuk i lejojnë status të deputetit një krimineli të luftës”, ka thënë për gazetën një anëtar anonim i qeverisë./Insajderi.com.