Qeveria greke e bindur: Dikush e dogji qëllimisht Athinën

Qeveria greke e bindur: Dikush e dogji qëllimisht Athinën

Duket se qeveria greke, e gjendur edhe nën zemëratën në shtim të popullsisë veçanërisht të zonës së Atikës ku ndodhi tragjedia e zjarreve, po përshpejton hetimin e shkaqeve. Gjatë një konference me media, zëdhënësi i qeverisë greke, Dhimitris Tzanakopoulos, ka deklaruar se kryeministri Alexis Tsipras ka urdhëruar që të hetohen plotësisht shkaqet e zjarreve vdekjeprurëse, që kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve në periferinë e Athinës.

“Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t’u dërgohet autoriteteve gjyqësore, si dhe të mbanim këtë konferencë shtypi në mënyrë që t’i paraqesim popullit grek të gjitha dëshmitë qe ka qeveria në dispozicion”, u shpreh Dhimitris Tzanakopoulos, zëdhënësi i qeverisë.

Ndërsa nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, duke shpjeguar video dhe të dhëna nga disa shërbime satelitore të vendit dhe amerikane, ka theksuar se ekzistojnë prova serioze për zjarrvënie të organizuar.

“Sa i përket hetimeve që po bëhen nga grupi hetimor i Departamentit të Zjarrfikësve në bashkëpunim me Policinë Greke, do doja të tregoja me anën e disa imazheve të paraqitura se kemi të dhëna serioze dhe gjurmë të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie”, u shpreh Nikos Toskas, ministër i Mbrojtjes së qytetarit.

Në intervistë është theksuar se zjarrvënia e qëllimshme dhe e planifikuar hollësisht, si dhe kushtet ekstreme të motit kanë qenë shkaku kryesor i tragjedisë.

I pyetur përse nuk ka asnjë pranim përgjegjësie apo dorëheqje ministri i Mbrojtjes së Qytetarit ka thënë se ai qysh në fillim ka dorëzuar dorëheqjen te kryeministri, por ai nuk ka pranuar.

Ndërsa ka theksuar gjithashtu se zjarrfikësit, policia dhe marina greke kanë bërë ç’është e mundur për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish, deklarata që në përgjithësi janë kritikuar nga ana e mediave opozitare.