Qeveria Kurti goditi një segment të energjisë – vendimi zgjon reagime të ashpra

Qeveria Kurti goditi një segment të energjisë – vendimi zgjon reagime të ashpra

Vendimi i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, për ndalimin e punimeve për ndërtimin e disa hidrocentraleve, ka zgjuar reagim në Kosovë, shkruan Insajderi.

Qeveria Kurti ka shfrytëzuar pandeminë Covid-19, që të marrë vendim për ndalimin e punimeve, ani se kompanitë për ndërtimin e hidrocentraleve kanë leje dhe pëlqim mjedisor.

Me këtë veprim, qeveria Kurti ka goditur edhe një segment të energjisë, pas largimit edhe të kompanisë amerikane Contour Global, e cila kishte fituar tenderin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Fotografia e M E P T I N I S

Ndaj këtij vendimi të MEPTINIS, ka reaguar Shoqata për Energji të Ripërtëritshme e Kosovës, e cila e ka quajtur diskriminuese dhe tendencionze.

Madje, ShERK-u konsideron se me punimet e ndërmarrjeve të tyre nuk rrezikohen burimet e ujit, aq me pak për shkak të COVID -19.

“Investimet dhe zhvillimet në këto projektet bëhen me një orar të përcaktuar, me një biznes-plan dhe orar të pagesave e pajisjeve, të kësteve kreditore e garancive bankare në kohë strikte, kontratave me inxhinier-ekspert të jashtëm e vendor, teknik e punëtor të angazhuar të cilët marrin paga dhe mbajnë familje, vonesa në angazhim të përhershëm të punëtorëve e inxhinierëve në HC që do të vihen në operim. Me këtë urdhëresë, ju zonja ministre i keni rrezikuar të gjitha këto”, thuhet në letrën e ShERK-ut.

Qeveria Kurti godet edhe një segment të energjisë

SHERK kërkon rishikimin e urdhëresës së MEPTINIS, në të kundërtën paralajmëron se të drejtat e tyre do t’i kërkojnë përmes organeve kompetente.

“Obligimet tona kontraktuale, anuitetet kreditore, garancionet bankare, obligimet ndaj kontraktorëve dhe furnitorëve të huaj për pajisjet e HC, kamatë vonesat si dhe pagat e punëtorëve t’i kërkojmë përmes organeve të drejtësisë për shkak të vonesave të realizimit të projekteve të krijuara nga urdhëresa në fjalë”, thuhet ndër tjera në letrën e SHERK.

​SHERK kërkon rishikimin e vendimit për ndalimin e punimeve në hidrocentrale

Kompanitë po i ndërtojnë hidrocentralet pasi janë pajisur me leje dhe pëlqim mjedisor.

Këtë e kishte konfirmuar edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogjani, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo kompani specifikisht por edhe plotë kompani tjera, kanë marr pëlqimet mjedisore, në fakt s’kanë leje edhe kanë filluar projektet në realizimin e disa hidrocentraleve të cilat siç po e shini, kanë ndodh pa konsultim të mjaftueshëm me banorë, domethënë formalisht janë përmbushur kërkesat ligjore”, ka thënë Zogiani për Insajderin.

 

Partia e Albin Kurtit, iu kishte gëzuar edhe tërheqjes së kompanisë amerikane Contour Global, nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.

Madje, numri dy i qeverisë Kurti, Haki Abazi, përmes OJQ-ve që ka financuar, kishte bërë lobing kundër ndërtimit të këtij Termocentrali.

E dështimi i ndërtimit të “Kosovës së Re” ishte konsideruar si rrezik i shtrirjes së ndikimit rus përmes financimit në sektorin e energjisë.

Në një dëgjim në Nën-komitetin për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale të Senatit Amerikan, përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në dokumentet që ka siguruar Gazeta Insajderi, paralajmëroi për rrezikun e ndikimit rus në Kosovë.

“Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim nga Rusia”, u shpreh Palmer në pyetjen e drejtuar nga senatori i Nju Xhersit, Robert Menendez.

Për të ndaluar shtrirjen e ndikimit rus në Kosovë, sipas përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit, duhet të ruhet pavarësia energjetike e Kosovës – të përdoret linjiti.

“Për të ruajtur pavarësinë e saj energjetike, Kosovës i duhet një gjeneratë e re, dhe ‘Kosova e Re’ është opsioni më praktik, më efikas dhe më i mundshëm. Mbështetja e këtij projekti është tërësisht në interesin e Shteteve të Bashkuara”, kishte thënë Palmer.

Megjithatë mbetet të shihet nëse qeveria do ti lejojë kompanitë të vazhdojnë ndërtimin e hidrocentraleve pas përmirësimit të situatës me Pandeminë Covid-19 apo jo. /Insajderi.com

Pushtetari Haki Abazi përballë Amerikës që e quan ndikim rus kundërshtimin e “Kosova e Re”