
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndarë gjashtë milionë euro për bizneset të cilat janë dëmtuar nga masat e fundit kundër COVID-19, të cilat zgjatën për dy javë, njofton Insajderi.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme (e mërkurë) të Qeverisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, bëri të ditur se subvencioni i bizneseve për pagat e punëtorëve dhe qirasë do të bëhet deri në 50 për qind.
“Ndahen gjashtë milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, ka thënë Murati.
Sipas tij, subvencionimi do të bëhet në bazë të aplikimit të dorëzuar nga bizneset ku janë të vendosura kufizimet dhe kriteret për të përfituar nga ky subvencionim./Insajderi.com