Qeveria spanjolle kërkon ndjesë ndaj qytetarëve

Qeveria spanjolle kërkon ndjesë ndaj qytetarëve

Një përfaqësues i qeverisë spanjolle në Kataloni ka kërkuar për herë të parë ndjesë për dhunën e ushtruar nga policia në ditën e referendumit. Ndërkohë, zyrtarët e rajonit autonom bëjnë me dije se plani për shpalljen e pavarësisë do të vazhdojë.

Përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Kataloni ka kërkuar ndjesë publike ndaj qytetarëve që u plagosën gjatë përpjekjeve të policisë për të ndaluar referendumin për pavarësi të së Dielës.

Por Enric Millo fajësoi qeverinë e Katalonisë për mbajtjen e votimit të paligjshëm. Nga ana tjetër, qeveria spanjolle po bën çdo lëvizje të mundshme që të dobësojë rajonin autonom.

Madridi zyrtar ka aprovuar një dekret që lehtëson procedurat për kompanitë që duan të zhvendosin selitë qendrore nga Katalonia.

Ndërkohë, zyrtarët katalanas duket se do të vazhdojnë me planin e tyre për shpalljen e pavarësisë në parlamentin e Barcelonës, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Spanjës vendosi të ndalojë mbajtjen e seancave.

“Parlamenti do të mblidhet dhe do të diskutojë”, tha shefi i punëve të jashtme të Katalonis, Raül Romeva.

“Çdo përpjekje që qeveria spanjolle ka përdorur për të penguar gjërat të ndodhin, kanë treguar se janë krejtësisht jo vetëm të padobishme por kundërproduktive”, shtoi ai.

Presidenti i Katalonisë, Carles Puigdemont ka planifikuar të mbajë një fjalim në parlamentin e Barcelonës, të martën qe vjen. Mendohet se në atë fjalim do të ndodhë edhe shpallja e pavarësisë nga Spanja. Kjo lëvizje mund të detyrojë qeverinë spanjolle të aktivizojë artikullin 155 të kushtetutës, I cili lejon Madridin të marrë kontrollin e plotë mbi rajonin autonom.