Zyrtarët në disa vende e pranojnë se presin që virusi i ri, që ka i" />

Qeveritë evropiane përgatisin plane për ballafaqim me koronavirusin

Qeveritë evropiane po përgatisin planet për të përballuar me një epidemi të mundshme të koronavirusit, megjithëse numri i rasteve është ende i vogël krahasuar me Azinë.

Qeveritë evropiane përgatisin plane për ballafaqim me koronavirusin

Zyrtarët në disa vende e pranojnë se presin që virusi i ri, që ka infektuar të paktën 80.000 vetë dhe shkaktuar vdekjen e 3.000 njerëzve në gjithë botën, të përhapet dhe thonë se po hartojnë plane për të anuluar aktivitete sportive dhe koncerte, të reduktojnë shërbimet e transportit publik, të vendosin kufizime udhëtimi dhe të mbyllin shkolla.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpresojnë që vendet anëtare të mos vendosin kontrolle kufitare brenda zonës së Shengenit, por e pranojnë se reagimi i qeverive të vendeve do të varet nga përmasat e krizës së shëndetit publik.

Disa ekspertë të shëndetësisë thonë se është koha për të marrë masat për një pandemi të mundshme dhe dyshojnë se numri i rasteve në Evropë është shumë më i madh nga ai që dihet.

Shërbimet shëndetësore në Britani po planifikojnë të shtojnë analizat për sëmundjen që quhet zyrtarisht COVID-19, duke përfshirë edhe njerëz që nuk kanë udhëtuar në vende me rrezikshmëri të lartë dhe nuk kanë shfaqur simptoma.

Deri tani ka pasur 13 raste të identifikuara në Britani.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk do të ishte befasuese nëse identifikohen raste të reja.

Sipas ekspertëve qeveritarë, përqindja e infeksioneve do të rritej për dy ose tre muaj, nëse virusi fillon të përhapet.

Ndërsa Italia po kthehet në një vatër të re për virusin, shumë vende fqinjë thonë se nuk kanë alternativa të tjera veçse të planifikojnë për një epidemi të mundshme, nëse parandalimi dhe frenimi nuk I ndalin infeksionet.

Ministrat e shëndetësisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Komisioni Evropian shprehën angazhimin për t’i mbajtur kufijtë hapur, në një takim të martën.

Por nuk është ende e qartë nëse vendet anëtare janë në një mendje për çështjen e kufirit. Në fillim të muajit, disa vende anëtare këmbëngulën për kufizim të hyrjes në zonën e Shengenit nga udhëtarët nga Kina, por meqenëse disa nga vendet nuk ishin dakord, kjo përpjekje dështoi me argumentin se kufizimet nuk do të kishin kuptim nëse të gjitha vendet nuk vepronin në harmoni.

Disa zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se nëse vende të veçanta fillojnë të vendosin kufizime për lëvizje brenda vendeve të tyre, atëherë është e pashmangshme që me kalimin e kohës disa qeveri të fillojnë të vendosin kontrolle të përkohshme të njëanshme në kufijtë me vendet e tyre.

Vendet evropiane po marrin gjithashtu masa për një epidemi të rëndë të mundshme brenda kufijve të tyre, pavarësisht se çfarë planesh po bëjnë fqinjët e tyre.

Zvicra, Austria, Kroacia dhe Spanja shënuan rastet e para në mes të javës dhe shumica infeksioneve e kanë burimin në Itali, kur mbi 10 qytete në veri të vendit, janë në karantinë për të parandaluar përhapjen.

Përhapja në Itali ku ka mbi 300 raste dhe 12 vetë kanë vdekur, shërbeu si një kambanë alarmi për vendet fqinjë.

Franca dhe Kroacia kanë urdhëruar anulimin e programeve të studimeve jashtë vendit dhe po ndryshojnë oraret e trenave, si edhe po vendosin post-blloqe.

Kompanitë evropiane, ashtu si edhe ato amerikane, po hartojnë planet që punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia. Në Azi, një gjë e tillë ka filluar.

Në Japoni javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë i nxiti bizneset që të ofrojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia dhe për të shkurtuar orët e punës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit./voa.