Qindra mijëra protestues kërkojnë largimin e udhëheqëses në Hong Kong

Në Hong Kong, protestuesit kanë dalë sot sërish në rrugë duke bllokuar rrugët që çojnë drejt godinave qeveritare.

Qindra mijëra protestues kërkojnë largimin e udhëheqëses në Hong Kong

Atyre iu bashkua aktivisti pro-demokracisë Joshua Wong, në mbështetje të thirrjeve për dorëheqjen e udhëheqëses së qytetit me qëndrime pro-Pekinit. Pas lirimit të tij sot nga burgu, Joshua Wong tha se së shpejti do t’i bashkohej protestave masive kundër ligjit të ri për ekstradimet drejt Kinës. Ndërsa organizatorët thanë se në rrugë dolën 2 milionë njerëz këtë të diele, Kina forcoi mbështetjen ndaj Shefes Ekzekutive të qytetit nëpërmjet një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Zoti Wong ishte ndër udhëheqësit e Lëvizjes së Çadrave të vitit 2014 dhe bëri dy muaj burg për akuza të lidhura me protestat e atëhershme, transmeton VOA.

“Populli i Hong Kongut nuk do të qëndrojë i heshtur nën shtypjen e Presidentit Xi dhe Shefes Ekzekutive Carrie Lam. Ajo duhet të japë dorëheqjen në javët që vijnë dhe përpara 22 vjetorit të transferimit të sovranitetit të Hong Kongut. Jo vetëm 1 milion apo 2 milionë njerëz, por gjithnjë e më shumë populli i Hong Kongut do të na bashkohet në betejën tonë, derisa një ditë të rifitojmë të drejtat tona bazë të njeriut dhe lirinë”, deklaroi zoti Wong pas daljes nga burgu.

Sot autoritetet rihapën rrugët pranë zyrave qeveritare, të cilat ishin pasi qindra mijëra protestues të veshur me të zeza marshuan të dielën në formë proteste kundër një projektligji që do të lejonte ekstradimin drejt Kinës.

Për shkak të protestës, blloqe të tëra të distrikteve qeveritare dhe atyre të dyqaneve qëndruan të mbyllura, ndërsa organizatorët thanë se në rrugë dolën 2 milionë njerëz.

Demonstratat filluan ditën pasi projektligji u pezullua nga Shefja Ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, por protestuesit thonë se do të vazhdojnë derisa ligji të anulohet përgjithmonë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Presidenti Donald Trump planifikon të diskutojë çështjen me homologun kinez Xi Jinping, gjatë samitit të G20-tës në Japoni.