Qipro – turq e grekë përleshen për naftë

Qipro – turq e grekë përleshen për naftë

Qiproja turke zotohet të nisë eksplorimin e saj për gaz dhe naftë në ujërat përreth ishullit, nëse pala greke nuk heq dorë nga planet e veta që përfshijnë licensimin e disa kompanive shumë-kombëshe, për kërkime të kësaj natyre.

ENI e Italisë, e braktisi një shpim të planifikuar muajin që shkoi, e kjo për shkak të pranisë së anijeve ushtarake turke në zonë. Një degë e ExxonMobil pritet të nisë nga ana tjetër përpjekjet e saj për eksplorim. Por sa do të funksionojë kjo?

“Ose i hyjmë kësaj sipërmarrjeje së bashku, ose tentativat ndalojnë, ose ne turko-qipriotët do të bëjmë të njëjtën gjë: Do të nisim nga ana jonë shpimet dhe shfrytëzimin e rezervave natyrore”, deklaroi Kudret Ozersay, Ministri i Jashtëm i Qipros Veriore, e cila njihet praktikisht vetëm nga Turqia.

Ankaraja është zotuar të parandalojë atë që e sheh si lëvizje të njëanshme të greko-qipriotëve, por Qiproja anëtare e BE-së, nuk jep shenja tërheqjeje. Brukseli kërkon nga Turqia të shmangë kërcënimet dhe të frenohet nga veprimet që mund të dëmtojnë marrëdhëniet me bllokun. I pyetur nëse situata mund të përshkallëzohet, Ozersay këmbëngul se diplomacia do të ishte mjeti i parë që do të përdorej.

“Ne synojmë ftohjen e gjakrave dhe jo të kundërtën. Për këtë arsye dhe në incidentin e fundit nuk përdorëm forcën, madje as nuk e demonstruam forcën tonë”, tha Ozersay.

Ironia e madhe e situatës qëndron në faktin se zbulimi i gazit në Mesdheun Lindor shpresohej të sillte paqe dhe bashkëpunim në një rajon të pastabilizuar, por realiteti është se burimet e mëdha bëhen shkak për më shumë mosmarrëveshje, ndërsa ai që duhet të ishte lajm i mirë për ekonomitë e zonës, u bë shumë shpejt viktimë e gjeopolitikave torturuese të saj.