Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës në udhëtim 81:88 (12:20, 12:17, 25:27, 32:24), në kuadër të xhiros së dhjetë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketball, njofton Insajderi.
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 12:20, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, 12:17, për të shkuar në pushim me rezultat 24:37.
Lojë më e barabartë u zhvillua në periodën e tretë, sidoqoftë, Rahoveci administroi mirë rezultatin dhe kjo pjesë përfundon 25:27. Në 10 minutat e fundit, Prishtina fitoi 32:24, megjithatë, ishte e pamjaftueshme dhe Rahoveci triumfoi në fund me shifrat 81:88.
Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi për Vreshtarët.
Te Sigal Prishtina u dalluan Fisnik Rugova me 22 pikë e shtatë kërcime dhe Daniel Lekndreaj me 20 pikë e nëntë kërcime, kurse te Rahoveci më të mirët në parket ishin Isaiah Traylor me 28 pikë e gjashtë asistime dhe Marvin Jones me 24 pikë.
Sigal Prishtina ka tri fitore dhe shtatë humbje, kurse Rahoveci tetë fitore dhe dy humbje. /Insajderi.com