Ramadan Hiseni fiton titullin e botës – shikoni rundin e fundit

Ramadan Hiseni fiton titullin e botës – shikoni rundin e fundit

Boksieri shqiptar i cili ushtron në Zvicër Ramadan Hiseni ka arritur fitoren më të madhe në karrierën e tij dhe është konfirmuar si një nga boksierët më të mirë të rinj në Evropë aktualisht.

Në meçin e zhvilluar në Glattburg të Zvicrës, Hiseni fitoi titullin botëror për të rinj në federatën WBC ose siç njihet WBC Youth World Title, në kategorinë e mesme, deri në 75kg.

Për Hisenin, i cili sivjet mbush 23 vjet kjo ishte fitorja e 12 në boksin profesionist, nga 12 meçe gjithsej, katër nga të cilët i ka përfunduar me KO, bën të ditur Insporti duke iu referuar statistikave zyrtare.

Deri tek titulli i botës për të rinj, ky boksier erdhi pas 10 rundeve boks shumë cilësor dhe intensiv me kundërshtarin nga Malta Christian Schembri.

Schembri përdori elemente të shumta taktike, që ishin në kufi të fair playit dhe disa herë iu tërhoq vërejtja nga gjyqtari në ring, për shkak të veprimeve të tilla, por i mbijetoi 10 rundeve në saje të qëndrueshmërisë dhe faktit që nuk i dha Hisenit po thuajse asnjë rast ta sulmojë hapur ose të shkojnë në këmbim të hapur të goditjeve.

Sidoqoftë, gjyqtarët, vlerësuan punën e Hisenit përgjatë 10 rundeve dhe me meritë e shpallën atë fitues, duke e ngritur në statusin e kampionit për të rinj, raporton Insporti.

Kujtojmë se kampion i botës në kategorinë e mesme në WBC është Saul Alvarez, i cili këtë titull e mori nga Gennady Golovkin, në një nga meçet më të përfolura të viteve të fundit, të zhvilluar në shtatorin e 2018-ës. /Insporti.com/