Ranglista përfundimtare botërore për vitin 2019 – në këtë pozitë është ngjitur Distria Krasniqi

Ranglista përfundimtare botërore për vitin 2019 – në këtë pozitë është ngjitur Distria Krasniqi

Viti 2019 ishte një tjetër vit suksesi për shtetin e Kosovës në xhudo.

Kosova në xhudo pati një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, të cilin e përmbylli këtë muaj në “Masters” në Qingdao të Kinës, transmeton Insporti

Të artën në këtë garë e fitoi xhudistja 24-vjeçare, Distria Krasniqi.

Rrugëtimin në këtë turne, Distria Krasniqi e filloi duke siguruar fitore në rundin e dytë kundër gjermanes Katharina Menz, pasi që rundin e parë e kaloi pa luftë, duke e siguruar kështu një vend në çerekfinale.

Xhudistja kosovare e vazhdoi luftën për medaljen e artë duke e mposhtur edhe xhudisten nga Kazakistani Otgonstetseg Galbadrakh në çerekfinale, ndërsa në gjysmëfinale u tregua shumë e fortë për Uranstetseg Munkhbat nga Moldavia.

Ndërsa, në finalen e madhe, kosovarja e dëshmoi sërish forcën e saj duke e mposhtur xhudisten nga Mongolia, Naransetseg Ganbaatar, të cilën e mposhti me Ippon në Golden Score.

Në Qingdao morën pjesë edhe dy xhudistët e tjerë, Nora e Akil Gjakova (në kategoritë -57, respektivisht -73 kg), por Distria ishte e vetmja që ia doli të fitojë medalje.

Distria është kampione e dyfishtë pasi të artën e kishte fituar edhe në World Judo Masters të vitit të kaluar, në kategorinë -52 kilogramë.

Xhudistja 24-vjeçare tashmë është ngritur në ranglistën botërore aty ku mban pozitën e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë, me gjithsej 6760 pikë pas suksesit të fundit.

Ndërkaq, sa i përket pikëve olimpike, Distria Krasnqi i prin listës në kategorinë deri e saj deri në 48 kilogramë.

Ajo tashmë ka gjithsej 5765 pikë olimpike pas suksesit të fundit në Qingdao të Kinës, përcjell Insporti

Majlinda Kelmendi që për herë të fundit këtë vit luftoi në Grand Slamin e Abu Dhabit, ku e fitoi medaljen e artë, vitin e përfundoi në pozitën e 4-t në ranglistën botërore, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Kampionia olimpike të artën e siguroi pasi e kishte mposhtur xhudisten italiane, Odette Giuffrida në finale.

Xhudistja 28-vjeçare e mbyll vitin kalendarik me gjithsej 5352 pikë në renditje.

Sa i përket pikëve olimpike, ajo vitin kalendarik e mbyll me gjithsej 4152 pikë, transmeton Insporti

Për katër pozita në renditjen botërore është ngjitur xhudisti Akil Gjakova.

Gjakova, 23-vjeçar, në kategorinë -73 kilogramë tani grumbullon 4392 pikë gjithsej dhe mban pozitën e pestë.

Gjakova ishte në rrugë të mirë për të fituar medaljen e bronztë në Masters Qingdao të Kinës, megjithatë ai nuk ishte në gjendje të luftojë pasi ka pësuar një lëndim në krah.

Ai fitoi tre lufta por në gjysmëfinale e pësoi lëndimin e tij duke u detyruar ta braktisë garën.

Sidoqoftë, ai siguroi ngritje në ranglistë për 4 pozita dhe fitoi gjithsej 648 pikë olimpike. Ai është në pozitën e 7-të sa i përket ranglistës së pikëve olimpike dhe tani i ka të grumbulluara gjithsej 3287  pikë olimpike, shkruan Insporti

Nora Gjakova ndërkaq, në renditjen botërore ka rënë për një pozitë (nga pozita 4 në të 5-tën), derisa ka gjithsej 5000 pikë.

Sa i përket pikëve olimpike, ajo ka gjithsej 3600 pikë.

Gjakova nuk ka arritur ta mbyllë vitin kalendarik 2019 me sukses në garën e kategorisë deri në 57 kilogramë të World Judo Masters, që u mbajt Qingdao të Kinës.

Rrugëtimi në këtë turne, Nora Gjakovës iu ndal në rundin e parë, kur brenda 2 minutave e 3 sekondave u mposht nga koreania Jisu Kim dhe e mbylli këtu ëndrrën për t’i fituar Kosovës medalje.

22-vjeçarja Lorian Kuka e mbyll vitin kalendarik në top 10-she në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Ajo në këtë kategori është ngjitur për një pozitë, në pozitën e 10-të dhe ka gjithsej 4250 pikë të grumbulluara.

Ndërkaq, sa i përket pikëve olimpike ajo është në pozitën e 14-të dhe ka gjithsej 2963 pikë. /Insporti.com/