Raporte të Komisionit Evropian kundështojnë Sindikatën e Re të KEK, Kosova A duhet të dekomisionohet

Raporte të Komisionit Evropian kundështojnë Sindikatën e Re të KEK, Kosova A duhet të dekomisionohet

Sindikata e Re e KEK nesër proteston pranë zyreve qendrore të KEK, për të kërkuar, përvec tjerash, edhe rivitalizimin e Kosovë A e jo dekomisionimin, ashtu sic është parashikuar edhe me strategjinë energjetike në Republikën e Kosovës.

Sidoqoftë, duket se kjo kërkesë është në kundërshtim me konkluzat e një numri raportesh ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të Komisionit Evropian, por edhe me praktikën ndërkombëtare në lidhje me termocentrale të vjetra.

Shumë kohë më parë, Banka Botërore këtij termocentrali i jepi epitetin e ndotësit më të madh në Evropë, dhe udhëzoi që të njejtin duhet mbyllur së shpejti. Së fundmi, edhe raporti i progresit të Kosovës për vitin 2019, në pjesën për energji elektrike, kërkon fillimin urgjent të përgatitjeve për dekomisionimin e Kosovës A.

Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm.

‘Njësitë e termocentralit Kosova A kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellur në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.

Raporti vlerëson edhe se puna në këtë termocentral është shumë e rrezikshme deri sa re-vitalizimi është thjeshtë, i parealizueshëm dhe ekonomikisht -jo-fizibil, thuhet në raport.

Ndryshe, përvec dëmeve mjedisore dhe mungesës së fizibilitetit ekonomik, mbyllja e Kosovës A kërkohet edhe nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. ‘Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë në Tetor 2005 dhe ka ratifikuar atë në Korrik 2006’, thuhet në raportin për dekomisionimin e Kosovës A.

Si rrjedhojë, duke mos mbyllur termocentralin Kosova A, Kosova e rrezikon bindshëm edhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sindikata e Re e KEK ka paralajmëruar protesta për ditën e Martë pranë zyreve qendrore të KEK, për të kërkuar marrëveshjen kolektive sektoriale, implementimin e pagave jubilare për periudhë më të gjatë kohore, rivitalizimin e Kosovës A, rishikimin e ligjit për paga dhe rritjen e vlerës së shujtës ditore.

Dekomisionimi i termocentraleve të moshës së njejtë me Kosovën A tani më ka ndodhur pothuajse në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

termoelektranën në Shoshtanj të Sllovenisë, blloqet një dhe dy të ndërtuara në vitet e 60-ta janë mbyllur më 2010 dhe 2008. Blloku A3 i të njejtit termocentral, i ndërtuar më 1960 është dekomisionuar (me vonesë) në vitin 2014. Njashtu si blloqet më lartë, edhe blloku 4 i ndërtuar më 1972 është mbyllur më 2018.

Sllovenia kishte ndërtuar termocentral të ri nga qymyri me kapacitet prej 600 megavatësh në Shoshtanj në vitin 2016, për të zëvendësuar mungesën e rrymës të shkaktuar nga mbyllja e termocentraleve të vjetra, të moshës së njejtë me Kosovën A.

Termocentrali Kosova A ka 5 njësi, të ndërtuara gjatë 1960-tave dhe në fillim të viteve 1970. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jasht prodhimit nga Prilli 2009 për shkak të problemeve në transformator, deri sa njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim për një kohë të gjatë.

Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli operimi, tani më ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara dhe sipas një numër raportesh, duke përfshirë edhe ato të Bankës Botërore, Kosova A është ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Raportet theksojnë se njësia duhet dekomisionuar sa më shpejtë që është e mundur.

Pas mbylljes së Kosovës A, në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike dhe termocentralit të ri, Kosovës do i duhet të varet në import për furnizim të energjisë elektrike, të cilat vetëm dekadën e fundit kanë tejkaluar mbi gjysmë miliardi euro.