fbpx

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian: Kosova duhet të dekomisionojë termocentralin ‘Kosova A’

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian: Kosova duhet të dekomisionojë termocentralin ‘Kosova A’

Kosova bëri progress në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por dështoi në sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike, thuhet në raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Raporti gjithashtu propozon fillimin e përgatitjeve për mbylljen e termocentralit “Kosova A”, si dhe përmirësimet e nevojshme të ndërlidhura me mjedisin në termocentralin “Kosova B”.

“Kosova bëri progres në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por ka zbrazëtira të mëdha në infrastrukturën hekurudhore dhe energjetike. Shumë pak progress është bërë në sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike deri sa humbjet në sektor vazhdojnë të jenë të mëdha”, thuhet në raportin e Progresit për Kosovën.

Sipas raportit, Kosova ka dështuar të zvogëlojë humbjet në rrjetin e energjisë elektrike deri sa kapacitetet aktuale prodhuese të energjisë elektrike, vlerësohen si të pasigurta.

Vlerat e prodhimit të energjisë për banorë, ato të gjatësisë së hekurudhave dhe infrastrukturës rrugore, janë mjaft të ulëta krahasuar me ato mesatare në Evropë, thuhet tutje në raport.

“Në vitin në vijim, Kosova duhet të përgatitet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A dhe të bëjë përmirësimet mjedisore në termocentralin ‘Kosova B’”, thuhet në raportin e progresit.

Ndryshe, furnizimi me energji elektrike në Kosovë bazohet në termocentrale të vjetra, që nuk ofrojnë siguri të furnizimit të rregullt me energji elektrike. Që të dyja në raporte të Bankës Botërore konsiderohen si “burimi më i madh individual i ndotjes së mjedisit në Evropë”.

Përveç termocentraleve të vjetra, përkundër të qenit vendi i tretë për nga rezervat e linjitit në Evropë, furnizimi me energji elektrike varet edhe nga importet të cilat vetëm në dekadën e fundit kanë tejkaluar gjysmë miliardi euro.

Sipas strategjisë energjetike të Kosovës, pas dekomisionimit të termocentralit “Kosova A”, vendit do t’i nevojitet termocentrali i ri dhe një numër projektesh të energjisë së gjelbër, për të siguruar kështu energji të mjaftueshme për furnizim të rregullt me rrymë, ndryshe, problemet me furnizim me energji elektrike dhe me mungesë të saj do të thellohen.