Milot Rashica ishte një temë e nxehtë diskutimi në afatin kalimtar të verës së shkuar. Futbollisti shqiptar shkëlqeu një sezon më parë me Werder Bremen, duke bërë që skuadra të njohura të futbollit gjerman dhe atij europian të përfliteshin për një transferim të tijin. Asnjë marrëveshje nuk u arrit dhe shkaku i vetëm ishte vlera e kartonit të lojtarit, njofton Insajderi.
Werder Bremen kërkonte të mbushte arkat nga shitja e Rashicës, duke vendosur një shifër të lartë për shërbimet e tij. Por në sezonin e ri dëmtimet kanë përndjekur 24 vjeçarin dhe kjo ka kushtëzuar performancën e tij. Në këto kushte klubi gjerman e ka të vështirë të përfitojë të ardhurat e dëshiruara nga transferimi i sulmuesit të talentuar.
Vlera në treg e Rashicës është duke njohur vetëm ulje, teksa “Transfermarkt” i ka caktuar ditën e djeshme shifrën 12 milionë euro kartonit të tij. Një shumë kjo që është gjashtë milionë më pak se vlera e mëparshme e kartonit të tij. /Insajderi.com