Një turiste në Tajlandë është bërë personi i parë jashtë Kinës, që është diagnostikuar me një virus të ri - i ngjashëm me pneumoninë - që tashmë ka infektuar dhjetëra njerëz.
![Rasti i parë i virusit të ri raportohet jashtë Kinës](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2020/01/0B4399D6-60EA-437C-B60C-6BC21C3DB8CC_cx0_cy32_cw61_w1023_r1_s-730x440.jpg)
Autoritetet thanë se gruaja është izoluar pasi ka arritur në aeroportin e Bankokut nga Vuhani, qytet në lindje të Kinës, ku shpërthimi i virusit ka nisur në dhjetor.
Deri më tani janë regjistruar 41 raste me këtë virus, ndërsa një person ka humbur jetën.
Ai është identifikuar si një koronavirus, i cili mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.
Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3.
Sars e ka pasur origjinën në Kinë.
Në total, ai ka infektuar mbi 8,000 njerëz në 26 vende të botës.
Kina është shpallur e pastër nga Sars-i në maj të vitit 2004.