Reagimet e zyrtarëve kosovarë, pas dënimit të Xhakës dhe Shaqirit

Reagimet e zyrtarëve kosovarë, pas dënimit të Xhakës dhe Shaqirit

Vendimit të FIFA-s e cila dënoi me nga 10 mijë franga zvicerane Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakajn, për gjestin e bërjes së shqiponjës në ndeshjen kundër Serbisë, ka ngjallur reagime të deputetëve e zyrtarëve të lartë të vendit.

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se çfarëdo dënimi është i keq, mirëpo e rëndësishme është që dyshja nga Kosova do të luajnë në ndeshjet e ardhshme.

“Xhaka dhe Shaqiri dënohen me nga 10 mijë euro e Lichtensteiner 5 mijë euro. Edhe pse çfarëdo dënimi është i keq, megjithatë dyshja nga Kosova do të luajnë në lojët e ardhshme”, ka shkruar Ahmeti.

Më pas ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Gani Dreshaj, i cili ka inkurajuar futbollistët shqiptar Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, që edhe në ndeshjet e radhës të festojnë me simbolin e shqiponjës, ashtu siç vepruan në ndeshjen Zvicër – Serbi.Dreshaj, është shprehur i gatshëm të marrë përgjegjësinë e gjobave nga FIFA ndaj tyre.

“Më dëshirën më të madhe do të doja që unë të paguaja këtë dënim, por e di se sukseset e tyre në futboll kanë bërë që edhe fuqia e tyre financiare të jetë stabile. Pra, sa herë që ata bëjnë shqiponjën, unë iu them se marr përgjegjësinë e gjobave nga FIFA”, ka thënë Dreshaj.

Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka reaguar duke thënë se nuk paguhen me para emocionet që i sollën dy kosovarët, të cilët luajnë për kombëtaren e Zvicrës.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër – Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë”, ka shkruar Hasani. /Insajderi.com