Bledi Shkëmbi nuk po arrin të marrë maksimumin në krye të Ballkanit. Pas shkarkimit të një trajneri si Ismet Munishi, tifozët prisnin fitore të njëpasnjëshme nga korçari për të justifikuar vendin e tij në stol. Por rezultatet nuk po vijnë për Shkëmbin, çfarë ka bërë që “Xhebrailat” të kërkojnë largimin e tij dhe rikthimin e Munishit, njofton Insajderi.
Presidenti i Ballkanit ka treguar menjëherë besimin e tij për ish-lojtarin e Skënderbeut, ndërsa është shprehur më pas se Munishin mund ta ftojnë për kafe në Suharekë.
Ish-trajneri i ‘portokallinjve’ ka bërë reagimin e tij të parë për “Zëri.info”, ku thotë se është i gatshëm të kthehet në krye vetëm për tifozët. Madje me kënaqësi më të madhe do të ulej për kafe me ta, pasi sipas tij nuk i ka asnjë borxh askujt.
“Klubit të Ballkanit i dëshiroj suksese shumë të mëdha. Tifozëve u dëshiroj suksese dhe jam gati për ta që të rikthehem në Ballkan, vetëm për ta. Jam gati që të pi kafe në Suharekë pasi që nuk i kam borxh askujt, as moral e as material. Me kënaqësinë më të madhe me tifozët do të pija kafe në Suharekë, sidomos me ‘Xhebrailat”, ka thënë Ismet Munishi. /Insajderi.com