Klubi i Futbollit Besa ka reaguar pas vendimit të FFK-së që ta hetojë ndeshjen ndërmjet skuadrës pejane dhe Trepçës, e cila dyshohet së është kurdisur.
Ndeshja të cilën Trepça e fitoi me rezultat 3-1 ndaj Besës është dyshuar si e kurdisur.
Madje për këtë ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, e cila ka thënë se rasti do të dërgohet në prokurori.
Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, ka thënë sot se është turp që ëndë pa u bërë një vit që Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA kemi gjëra të tilla.
Ky vendimi i FFK-së ka bërë që me anë të një komunikate të reagoi edhe KF Besa, e cila i gëzohet këtij lajmi, pasi besojnë se kështu do të mësohet e vërteta dhe nuk do të ketë dyshime.
“Duke marrë shkas shkrimet tendencioze dhe intrigat nga rrjetet sociale, ku helmua opinioni publik dhe instancat me te larta të futbollit me informacione të rrejshme dhe te dëmshme për ne si KLUB, ne dalim me këtë reagim. Duke qenë të prirur të ndjekim drejtësinë dhe mos të biem pre e këtyre dezinformatave, ne vendosem te mos reagojmë dje, sepse u deshtë të lejmë dezinformuesit dhe dashakeqët te bëjnë të vetën me trillime”, thuhet në reagimin e KF Besës.
Klubi pejan pretendon se e humbi ndeshjen për shkak të formës së dobët që po kalon skuadra.
“Me përgjegjësi të plotë deklarojmë se ndeshja e ditës së djeshme ndaj KF Trepça ishte një ndeshje e rëndomtë për ne si klub dhe ne asnjë forme apo rrethanë ne nuk kemi bëre kalkulime. Ndaj KF Trepça në ketë edicion të garave i kemi zhvilluar deri me tani tri takime, dy për ndeshjet kampionale dhe një për kupë:
1. Ndeshja Kampionale: KF Besa 1 – 2 KF Trepça; (KF Besa në këtë ndeshje ishte me përbërjen komplete dhe kjo ishte ndeshja pas të cilës neve humbëm hapin për titullin kampion).
2. Ndeshja e Kupës: KF Trepça 2 – 2 KF Besa.
3. Ndeshja Kampionale: KF Besa 1 – 3 KF Trepça; (KF Besa në këtë ndeshje ishte me 6 lojtar jo standard shkaku i lëndimeve dhe penalitetëve tjera)”, njofton KF Besa.
“Për të mos e zgjatur shumë me arsyetime, deklarojmë se e mirëpresim vendimin e FFK-së që rastin ta dërgoj në prokurori dhe në instancat tjera relevante dhe njëherë e mirë të vërtetohet kjo gjë”, thuhet në reagimin e KF Besës.