Reagon kryeministri pakistanez ndaj deklaratave të Macron

Reagon kryeministri pakistanez ndaj deklaratave të Macron

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka reaguar ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron për inkurajimin e islamofobisë, transmeton Insajderi.

Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter, kryeministri Khan tha se cilësia dalluese e një lideri është të bashkojë dhe jo të përçajë. “Është një situatë për të ardhur keq që Macron inkurajon islamofobinë duke sulmuar Islamin, muslimanët, në vend të terroristëve, racistëve të bardhë ose ideologëve nazistë”, tha Khan.

Khan thekson se Macron duke inkurajuar shfaqjen e karikaturave të shëmtuara të cilat kanë në objektiv profetin Muhammed, ka zgjedhur të nxisë me qëllim muslimanët në mesin e të cilëve janë të përfshirë edhe vetë qytetarët e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi vuri theksin se presidenti francez duke sulmuar Islamin ka sulmuar dhe lënduar ndjenjat e miliona muslimanëve në Evropë dhe në të gjithë botën, Khan tërhoqi vëmendjen se polarizimi i tepërt është gjëja e fundit për të cilën kërkon dhe ka nevojë bota.

Në fjalën e tij, Khan bëri të ditur se deklaratat publike “me bazë injorancën” do të jenë shkaktare për më shumë hapësirë ndaj urrejtjes, islamofobisë dhe ekstremizmit. /Insajderi.com