Real Madrid mposht Atalantën, Mendy hero i spanjollëve

Real Madrid mposht Atalantën, Mendy hero i spanjollëve

Real Madrid fiton me vuajtje të mëdha ndaj Atalantës në Bergamo. 13-herë kampionët e Europës mundën të thyenin mbrojtjen ‘bergamaske’ vetëm në minutën e 86-të kur mbrojtësi Ferland Mendy shënoi nga jashtë zone, njofton Insajderi.

‘Bergamaskët’ zhvilluan një ndeshje të madhe ndaj “Los Blancos” teksa nga minuta e 17-të luajtën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Freuler, i cili mbeti episodi më kontrovers i takimit.

Mesfushori zviceran u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri gjerman Stieler teksa rrëzoi jashtë zone mbrojtësin francez Ferland Mendy të Realit. Edhe pse lojtari madrilen nuk ishte në pozicion të pastër shënimi goli, arbitri kryesor ka befasuar të gjithë duke nxjerrë nga fusha Freuler-in.

Në këto kushte, trajneri Gasperini shtoi mbulimin në mbrojtje dhe Reali sulmoi gjatë gjithë pjesës së mbetur të lojës. Bergameskët ‘zikaltër’ rezistuan me forcë valëve të njëpasnjëshme të ofensivës madrilene. Megjithatë, ishte Mendy ai që zgjidhi takimin për Realin duke mposhtur portierin Gollini me goditje të saktë jashtë zone.

Ndeshja e ardhshme luhet në 16 mars në Madrid. Edhe pse Reali ka shënuar në fushën kundërshtare, pritet që Atalanta të luajë mjaft e vendosur ndaj spanjollëve. /Insajderi.com