Luhet duke filluar nga ora 21:00, ndeshja e kthimit në Champions League mes Real Madrid dhe Atalantës, pasi e para në Bergamo u mbyll me fitoren e madrilenëve, me rezultatin minimal 0:1, njofton Insajderi.
Përballja mes tyre në Itali, ngjalli shumë polemika, pas kartonit të kuq ndaj Freuler në minutën e 17-të, pas një ndërhyrje ndaj Mendy jashtë zonës. Atalanta u detyruar të luante shumicën e ndeshjes me një lojtar më pak, pas një fillimi shumë të mirë ku kishte rrezikuar disa herë portën e spanjollëve. Goli i Mendy në minutën e 86-të vendosi ndeshjen, me skuadrat që sot do të kërkojnë kualifikimin.
Pritet një sfidë e luftuar nga të dyja ekipet, me skuadrën e Zidane që vjen si favorite në këtë ndeshje, për faktin se luan në shtëpi dhe e nis ndeshjen me një gol epërsi. Nga ana tjetër, Atalanta do të kërkojë surprizën për t’u kualifikuar më tej, me Gasperinin, që siç bën gjithmonë e ka studiuar ndeshjen në detaje.
Për sa i përket formacioneve, mbrojtësi i Kombëtares ‘kuqezi’, Berat Gjimshiti si gjithmonë e nis titullar ndeshjen e sotme, dhe ka si detyrë të ndalë sulmet e madrilenëve, siç bëri edhe në ndeshjen e kaluar.
FORMACIONET ZYRTARE:
Real Madrid (3-5-2): Courtois, Ramos, Varane, Nacho, Mendy, Valverde, Kroos, Modriç, Lucas Vasquez, Benzema, Vinicius. Trajner: Z. Zidane
Atalanta (3-4-1-2): Sportiello, Romero, Gjimshiti, Toloi, Maehle, Gosens, Pessina, De Roon, Pasaliç, Malinovsky, Muriel. Trajner: G. Gasperini. /Insajderi.com