Kylian Mbappe mund të bëhet shumë shpejt futbollist i Real Madridit pasi klubi spanjoll e ka bindur Monakon për lirimin e sulmuesit, raporton sot gazeta spanjolle AS.
Përmes një shkrimi të botuar në faqen e parë të gazetës, AS shkruan se Mbappe ka vendosur për transferimin në Madrid, pas një takimi që ka pasur me Zinedine Zidane dhe Fiorentino Perez, javën e kaluar.
Zidane dhe Perez kanë përdorur dy argumente për ta bindur 18-vjeçarin e talentuar, raporton AS, përcjell Insajderi.
Së pari, ata kanë shprehur synimin e tyre që ta bëjnë Mbappen futbollistin më të mirë në botë, dhe së dyti ata i kanë premtuar francezit të talentuar se njëri nga tre sulmuesit e Realit, Cristiano Ronaldo, Gareth Bale apo Karim Benzema, do të largohen nga skuadra këtë verë.
Sipas raportimeve të medieve portugeze këtë muaj, Cristiano Ronaldo do të largohet nga Madridi këtë verë. Këtë vendim, sipas të përditshmes portugeze A Bola, Ronaldo e ka marrë pas akuzave për evazion fiskal në Spanjë.
Ndërkaq, uellsiani Gareth Bale, edhe pse ka qenë futbollist i preferuar nga Fiorentino Perez, asnjëherë nuk ka pranuar përkrahje të madhe nga tifozët madrilenë – të cilët më shumë përkrahje u kanë dhënë dyshës spanjolle Isco dhe Asensio. Bale mund të largohet nga Madridi, shkruan AS.
Mirëpo, është babai i Kylian Mbappes, Wilfreidi, që e sheh me një sy të dyshimtë lëvizjen e djalit të tij në Bernabeu. Ai preferon një kalim të Mbappes në Arsenal.
Trajneri francez i Arsenalit, Arsene Wenger ka shprehur interesim dhe është shumë i interesuar që ta ofrojë në skuadrës Mbappen, sipas të përditshmës franceze L’Equipe. Sipas kësaj gazete, Wenger ka biseduar me Mbappen javën e kaluar.
Sidoqoftë, raportimet më të fundit bëjnë të ditur se Real Madridi është i avantazhuar ndaj Arsenalit, për transferimin e Mbappes. /Insajderi.com