Real Madrid ka siguruar kalimin për në fazën e 1/8-ve në Ligën e Kampioneve, teksa ka mposhtur Atalantën edhe në ndeshjen e kthimit me rezultatin 3-1, duke u kualifikuar kështu me rezultatin e përgjithshëm 4-1, pasi kishin fituar edhe në ndeshjen e parë me rezultatin 0-1, njofton Insajderi.
Italianët e nisën mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste shënimi, por nuk ia dolën t’i finalizonin me sukses. Nga kjo përfitoi Reali që u hodh në sulm, teksa gjeti edhe golin e avantazhit në minutën e 34-të me Karim Benzema, i cili përfitoi nga një gabim i portierit Sportiello dhe mbrojtësit Toloi për ta dërguar topin në fundin e rrjetës. Ky gol duket se e tronditi skuadrën e Gasperinit, që dukej e pafuqishme për të reaguar.
Në minutën e 59-të, Ramos dyfishoi shifrat, duke shënuar nga penalltia. Muriel shënoi një supergol në minutën e 83-të nga goditja e dënimit, duke rihapur sfidën, por kjo zgjati vetëm dy minuta, pasi në minutën e 85-të, Asensio vulosi sfidën dhe kalimin më tutje të madrilenëve. /Insajderi.com