Redaksia politike e gazetës Kommersant jep dorëheqjen

11 gazetarë politikë të gazetës së njohur ruse Kommersant kanë lënë punën në solidaritet me dy kolegë, që u pushuan lidhur me një artikull që njoftonte për një ndryshim të mundshëm në udhëheqjen e Dhomës së Lartë të Parlamentit.

Redaksia politike e gazetës Kommersant jep dorëheqjen

Në një postim të hënën në Facebook, korrespondenti i Kommersantit,Gleb Cherkasov shkruante se ai dhe 10 gazetarë të tjerë paraqitën dorëheqjen pasi zëvendës kryeredaktori i politikës, Maksim Ivanov dhe korrespondenti i posaçëm Ivan Safronov u pushuan me kërkesën e aksionarëve të gazetës pasi shkruanin në artikullin e tyre se kryetarja e Këshillit Federal, Valentina Matviyenko mund të largohet nga posti.

Artikulli për uljen e mundshme në pozitë të zonjës Matviyenko, një përkrahëse e fortë e Kremlinit dhe ish-guvernatore e Shën Peterburgut që ka drejtuar dhomën e lartë të parlamentit që nga viti 2011, u botua më 17 prill.

Përfaqësuesit e pronarit të Kommersantit, manjatit Alisher Usmanov, nuk kanë bërë deklarata zyrtare lidhur me gazetarët.

Në mars, gazetarja e Kommersantit, Maria Karpenko tha se ishte pushuar lidhur me artikujt e saj për fushatën zgjedhore të guvernatorit në detyrë të Shën Peterburgut, Aleksandr Beglov.