Reja para sfidës me Anglinë: Kane është lojtari më i rëndësishëm që ka Anglia

Reja para sfidës me Anglinë: Kane është lojtari më i rëndësishëm që ka Anglia

Shqipëria do të ndeshet kundër Anglisë pas fitores së marrë në shifrat 0-1 ndaj Andorrës. Përpara ndeshjes me ‘tre luanët’, ‘kuqezinjtë’ kanë bërë konferencën e fundit për shtyp. I pranishëm ishte trajneri Reja dhe kapiteni Berisha. Tekniku italian është shprehur se Harry Kane është futbollisti më i rëndësishëm që ka kundërshtari aktualisht, pavarësisht se bëhet fjalë për një nga Kombëtaret më të forta në Europë, njofton Insajderi.

“Sigurisht që Anglia është një nga rivalët më të fortë në Europë. Aktualisht ka disa talente të rinjë shumë cilësor. Po përgatiten edhe për Europianin e ardhshëm. Kane është e tashmja, ndërsa Mount dhe Foden janë për të ardhmen. Prandaj Kane është lojtari më i rëndësishëm që ka Anglia aktualisht. Motivimi është shumë i lartë në këtë ndeshje, nuk duhet t’i motivosh fare lojtarët. Por këtu është çështje tensioni dhe pjekurie”, u shpreh fillimisht tekniku italian.

“Gjimshiti është lojtari më i përshtatshëm për të luajtur në zemër të mbrojtjes atje ku është Kane. Nuk besoj se do të kemi shumë probleme me mbrojtjen. Më vjen keq për Kumbullën që pati lëndimin në gju, nuk mund ta rrezikonim lojtarin. Anglia shënoi pesë gola me San Marinon, nuk është ndonjë surprizë. Nga pikëpamja taktike duhet të jemi shumë të aftë, por nuk mund të rrimë për 90 minuta në mbrojtje. Duhet t’i sulmojmë dhe t’i frikësojmë. Kemi karakteristikat e duhura për t’i shqetësuar. Tani duhet të bëjmë gjithçka për të marrë rezultatin pozitiv”, ka thënë Reja. /Insajderi.com