Remzi Ejupi: Nuk i pranojmë zgjedhjet e FFK-së me një kandidat

Remzi Ejupi: Nuk i pranojmë zgjedhjet e FFK-së me një kandidat

Presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, thotë se praktika e kaluar kur ishte vetëm një kandidat për kryetar duhet të marrë fund.

“Natyrisht se duhet të ndryshojë ajo praktikë dhe ne si klub nuk do t’i pranojmë zgjedhjet nëse vendoset vetëm një kandidat për kryetar. Duhet që së paku të jenë katër kandidatë. Konsideroj se është momenti që të ndryshojë qasja ndaj futbollit kosovar. Kryetari duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike. Unë me këtë rast apeloj të gjitha klubet që të mos japin nënshkrime para kohe. Si fillim duhet të shpallen kandidaturat dhe askush nuk duhet t’i frikësohet konkurrencës. Klubet dhe delegatët nuk duhet që të bien pre e presioneve. Kandidati i ardhshëm duhet të zgjidhet për katër vjet dhe duhet të ketë respektin e gjithëve”, ka thënë Remzi Ejupi për “Zeri.info”.

Në pyetjen sa a po kërkohen nënshkrime nga kandidatët edhe te FC Prishtina, Ejupi deklaroi:

“Sigurisht se na kanë kërkuar nënshkrime, por ne nuk mund t’i japin askujt nënshkrime pa u shpallur kandidaturat. Është mirë që edhe klubet tjera të veprojnë njësoj, në mënyrë që të mos bllokohen nënshkrimet pa u shpallur kandidaturat dhe pa u zbuluar programet e kandidatëve edhe për opinionin”.

Ejupi, që është një ndër investitorët me jetëgjatë në futbollin e Kosovës, nuk pranoi të komentojë se cili nga kandidatët ka kërkuar nënshkrime.

/Insajderi.com/