Reportazhi i “New York Times” për Kosovën – theksohet mungesa e një stadiumi

E përditshmja prestigjoze amerikane “New York Times” i ka kushtuar një reportazh ndeshjes së Kosovës kundër Kroacisë të enjten mbrëma në “Loro Boriçi”, e para për përfaqësuesen më të re ballkanase si skuadër pritëse në një garë zyrtare.

Reportazhi i “New York Times” për Kosovën – theksohet mungesa e një stadiumi

Artikulli i “New York Times” përshkruan udhëtimin e gjatë e të mundimshëm të Kosovës qysh prej përpjekjeve për mëvetësi nga Serbia, vetëshpalljen e pavarësisë si shtet e mandej përpjekjet që kulmuan me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota në FIFA në maj të këtij viti.

oje

“Kosova është përballur me shumë beteja të vështira në historinë e vonë: kryengritja ndaj regjimit serb në fund të viteve ’90, nëntë vjet kujdestari nga Kombet e Bashkuara para vetëshpalljes së pavarësisë në 2008-n dhe përpjekjet për t’u njohur ndërkombëtarisht në vitet që pasuan.

Ndaj në maj, kur FIFA njohu pavarësinë e Kosovës, pati gëzim të madh mes njerëzve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë etnikë”, shkruan NYT, që nuk lë mënjanë as çështjen e largimit të lojtarëve kosovarë nga Kombëtarja shqiptare drejt Kosovës pas njohjes së përfaqësueses së re në arenën ndërkombëtare.

kosi

“Por njohja nga FIFA nxori në pah edhe jo pak probleme, një ndër të cilët është se Kosova, vendi më i varfër i Europës, nuk ka një stadium futbolli që përmbush standardet ndërkombëtare. Ndaj, ndeshjen e parë zyrtare si skuadër pritëse ata e luajtën në Shqipëri”, vijon artikulli.

“Mijëra tifozë që kishin udhëtuar nga Kosova zbritën në Shkodër duke bërtitur në kor ‘Shqipëri Etnike!’ dhe, përkundër shiut në stadium, ata nuk e ndalën këngën. Festa e tyre u shua nga Kroacia që shënoi gjashtë gola, por brohorima më e madhe në pjesën e dytë erdhi kur u mësua që Kombëtarja e Shqipërisë po fitonte 2-0 në Lihtenshtejn”, thuhet në shkrim.