
Reprezentuesi i Zvicrës Shani Tarashaj, i cili është shqiptar i lindur në Prizren të Kosovës, ka deklaruar se edhe pse luan për Zvicrën zemrën e tij e ka në Kosovë.
Sulmuesi i Evertonit, i huazuar tek Eintracht Frankfurt në Bundesligë, ka thënë se në një intervistë me mendiumin gjerman Frankfurter Rundschau se i detyrohet dhe i është mirënjohës shtetit të Zvicrës.
Kur është pyetur se sa është e vështirë për të që të luajë për Zvicrën, përderisa origjina e tij është nga Kosova, Tarashaj ka thënë:
“Shumë e vështirë, është e qartë. Zemra ime dhe gjaku janë nga Kosova. Por unë jam mirënjohës për Zvicrën, kam pasur një fëmijëri të mirë, kam ndërtuar karrierën time atje. Ishte gjithashtu një falenderim i vogël [për të luajtur për Zvicrën v.j], sepse e di se sa ka bërë ai vend për mua. Jo vetëm për mua, por edhe për babanë tim”, ka deklaruar Tarashaj, raporton Insajderi.
Tarashaj, para se të luante për Zvicrën ka pasur ofertë edhe nga kombëtarja shqiptare, mirëpo ai fillimisht e kishte refuzuar. Kur Tarashaj ishte shprehur i hapur për një kalim nga Zvicra U-21 tek Shqipëria, trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi e kishte refezuar.
De Biasi kishte deklaruar se futbollistët që e refuzojnë një herë kombëtaren, nuk do t’i [pranonte asnjëherë tek Shqipëria. /Insajderi.com