Gjatë ditës së shtune, Superliga e Kosovës në futboll është rikthyer me stinorin pranverorë, ku në program ishin tre ndeshje, njofton Insajderi.
Ndeshja e parë ishte ajo mes kampiones aktuale dhe liderës së ligës, Dritës së Gjilanit, të cilët kanë mposhtur me rezultat minimal mysafirët nga Podujeva, ekipin e Llapit.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Fazliu në të 74-tën minutë.
Ndeshje tjetër ishte ajo mes Besës së Pejës dhe mysafirëve nga Suhareka, Ballkanit. Fitore në këtë përballje shënuan mysafirët me shifrat e pastërta 0:3. Golat për suharekasit u shënuan nga Kuç (21’) dhe Baftiu me dy golat në minutat (43’-44’).
Ndeshja e fundit e ditës së sotme ishte ajo e zhvilluar në kryeqytet, ku Prishtina fitoi duelin me rezultat 3:1 përball Drenicës së Skenderajt.
Golat për nikoqirët u shënuan nga Shillova (13’), Abazi (62’) dhe Muça (71’), teksa golin e vetëm për miqtë e shënoi Denisson (44’).
Pas 19-të xhirosh, lider mbetet Drita me 44 pikë, e ndjekur nga Ballkani i vendit të dytë me 41 pikë, ndërsa në të tretën pozitë ndodhet Prishtina me 35 sosh. /Insajderi.com