River Plate shënoi një fitore epike 2:1 ndaj Santa Fe të Kolumbisë në ndeshjen e “Copa Libertadores” të mërkurën vonë, pavarësisht se skuadra e tyre u godit nga COVID-19, njofton Insajderi.
Skuadra argjentinase ishte në fushë pa zëvendësues ndërsa mesfushori Enzo Perez zëvendësoi portierin pasi gjithsej 20 lojtarë kontraktuan koronavirusin dhe disa të tjerë ishin të lënduar. Vetëm 11 lojtarë ishin në dispozicion në stadiumin “Monumental” në Buenos Aires.
Kërkesa e River Plate për të shtuar dy portierë zëvendësues në skuadrën e tyre u refuzua nga CONMEBOL, organi drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut, përpara ndeshjes.
River pati një fillim të shkëlqyeshëm pasi golat e hershëm nga Fabrizio Angileri dhe Julian Alvarez u dhanë atyre epërsi 2:0 brenda gjashtë minutash.
Kelvin Osorio ishte golashënuesi i vetëm për Santa Fe në minutën e 73-të, por mysafirët nuk arritën të barazojnë rezultatin.
Klubi argjentinas u ngjit në krye të Grupit D duke mbledhur 9 pikë në pesë ndeshje. /Insajderi.com