
Wayne Rooney është i bindur se Manchester United ka bërë zgjidhjen e duhur, duke marrë Jose Mourinho si trajner. Pasi David Moyes dhe Louis Van Gaal nuk arritën të fitojnë duelin e heshtur me “hijen” e Sër Alex Ferguson, golashënuesi më i mirë i historisë së Manchester United, mendon se “djajtë” kanë marrë trajnerin e duhur.
Këtë deklaratë kapiteni i klubit e ka bërë pasi United fitoi të drejtën për të shkuar në finalen e Kupës së Ligës. Rooney mendon se ishte e pritshme, që skuadra të vuante pas largimit të Ferguson, që e kishte drejtuar ekipin prej 26 vitesh, por tani Mourinho është njeriu i duhur për të hapur një cikël të suksesshëm në “Old Trafford”.
“Unë mendoj se kjo është pjesë e futbollit. Duhej kohë për të zëvendësuar Ferguson dhe tani Mourinho është trajneri i duhur për Manchester United. Unë mendoj se në tre vitet e fundit vuajtëm në gjetjen e dikujt që të udhëheqë skuadrën”, ka thënë Rooney.
“Vetëm duke punuar çdo ditë me të, duke parë punën që ai bën mendon se në një periudhë afat-gjate skuadra do të jetë shumë e suksesshme. Nuk është rastësi që fituan Superkupën e Anglisë dhe jemi në finalen e Kupës së Ligës. Të gjithë e ndjejmë se suksesi është pranë. Që Mourinho të zëvendësojë plotësisht Sër Alex duhet të na drejtojë edhe në Champions League.”