Rrahmani: Grumbullimi na ka munguar shumë, po mendojmë vetëm për Moldavinë

Rrahmani: Grumbullimi na ka munguar shumë, po mendojmë vetëm për Moldavinë

Kapiteni Amir Rrahmani, ka thënë se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe ata presin prezantim sa më të mirë në dy ndeshjet e radhës që Kosova I luan ndaj Moldavisë dhe Greqisë.

“Ka kaluar një kohë e gjatë nga grumbullimi i fundit me Kosovën dhe sigurisht se na ka munguar kjo. Koha e pandemisë ka qenë shumë e keqe dhe kjo bën që të luajmë edhe pa tifozë kështu që do jetë ndeshje ndryshe, por shpresoj t’i kalojmë me sukses”, ka thënë fillimisht Rrahmani, për faqen zyrtare të FFK-së, transmeton Insajderi.

”Së pari luajmë me Moldavinë dhe presim rezultat pozitiv dhe për këtë arsye kemi ardhur këtu”.

“Kemi rrezikuar shumë e disa lojtarë kur të kthehen do të futën edhe në karantinë por kanë ardhur për Kosovën dhe duam rezultat pozitiv me Moldavinë dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen me Greqinë”, ka vazhduar Rrahmani.

Në stërvitjen e parë kanë qenë të pranishëm 15 futbollistë: Aro Muric, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Anel Rashkaj, Ibrahim Dresevic, Bersant Celina, Atdhe Nuhiu, Florent Hadërgjonaj, Florent Hasani, Besar Halimi, Mërgim Vojvoda, Bernard Berisha, Valon Berisha, Fidan Aliti dhe Arbër Zeneli.

Stërvitjen e përfaqësuese e ka ndjekur nga afër edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi./Insajderi.com.