Regjisorja afgane, Sahraa Karimi doli në titujt kryesorë këtë javë me lutjet e saj drejtuar komunitetit ndërkombëtar të kinemasë pasi situata u përkeqësua në vendin e saj.
Ajo më pas ka treguar se ka arritur të largohet nga Kabuli dhe është mirë.
“Miq të mi të dashur mos u shqetësoni, unë jam mirë dhe e sigurt”, kishte shkruar Karimi në Twitter.
Ajo vazhdoi me një postim tjetër në të cilin falënderoi Wanda Hrycova nga Akademia Sllovake e Filmit dhe TV, Ambasadën e Sllovakisë në Iran, qeverinë ukrainase dhe qeverinë turke, që e ndihmuan të ikte nga Kabuli së bashku me 11 persona të tjerë të paidentifikuar (që besohet të jenë familjarët e saj).
Sahraa kishte pritur në radhë për gati tre orë në përpjekje për të tërhequr para nga një bankë në Kabul, të dielën, kur menaxheri erdhi dhe i tha të largohej, ndërsa zhurma e të shtënave dëgjohej në largësi, transmeton Deadline.
Regjisorja dhe gruaja e parë që drejtoi Organizatën Shtetërore të Filmit në Afganistan, vendosi të shpëtojë veten, vëllezërit dhe të afërmit e saj, edhe pse e dinte se kishte kaos në aeroport.
Nga një hotel në Kiev të Ukrainës, Karimi ka rrëfyer për Reuters se si dukej arratisja e saj, të cilën arriti ta realizojë, siç tha ajo, me ndihmën e qeverive turke dhe ukrainase.
“Mblodha familjen time. U largova nga shtëpia, lashë makinën, lashë paratë, lashë gjithçka që kam”, ka rrëfyer 36-vjeçarja. Ajo ishte e mërzitur për kthimin e sundimit taleban duke thënë se kjo do ta rrezikonte industrinë e filmit dhe të drejtat e grave.
“Ata nuk e mbështesin artin, nuk e vlerësojnë kulturën dhe kurrë nuk do të mbështesin gjëra të tilla”, është shprehur Karimi, duke shtuar se ata kanë frikë nga gratë e arsimuara dhe të pavarura. Siç vuri në dukje ajo, talebanët duan që gratë të jenë “të fshehura, të padukshme”.
Regjisorja, filmi i të cilës “Hava, Maryam, Ayesha” u prezantua në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2019, postoi një video në Instagram që e shfaqte atë duke vrapuar nëpër rrugët e Kabulit, sepse nuk mund të gjente një taksi për ta marrë në shtëpi nga banka.
Karimi dhe familja e saj duhej të ishin në një aeroplan që evakuoi qytetarët ukrainas, por për shkak se mijëra afganë u mblodhën në aeroport me shpresën për të shpëtuar, ata nuk mund të hipnin në aeroplan./Insajderi.com