Do të shkoni në Amerikë? Mund t’ju kërkojnë të dorëzoni telefonin – dhe të tregoni fjalëkalimin e llogarisë suaj në Facebook – para se të futeni në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Administrata e presidentit Donald Trump mund t’ju kërkojë aplikuesve për viza që t’i dorëzojnë telefonat e tyre, dhe t’i tregojnë llogaritë e tyre në rrjetet sociale, bashkë me fjalëkalimet e tyre, shkruan The Wall Street Journal.
Këto masa pritet të jenë pjesë e “verifikimit ekstrem” të vizitorëve në SHBA, që Trump i ka premtuar gjatë fushatës së tij.
Zyrtarët e administratës Trump e kanë përmendur këtë ide më herët këtë vit. Por, thuhej se do të verifikoheshin kësisoj vetëm vizitorët nga vendet me shumicë myslimane.
Tani, thotë WSJ, “ndryshimet mund të prekin njerëzit nga e gjithë bota, përfshirë nga vendet aleate si Franca dhe Gjermania”.