Rreth 10 mijë operatorë të identifikuar, persona fizikë dhe juridikë, llogaritet se merren me kriptovaluta në Kosovë, përcjell Insajderi.com.
Kështu ka bërë të ditur për Radio Evropa e Lirë, Ferat Shala, kryetari i Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës.
Shala ka treguar se kjo shifër është nga institucionet përgjegjëse, teksa thotë se nuk ka informacione për vlerën e qarkullimit.
Administrata Tatimore e Kosovës më 3 dhjetor u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, që t’i deklarojnë dhe të paguajnë tatim për to.
Përmes një komunikate, ATK ka bërë të ditur se do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë të ardhurat.
Ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka specifikuar se në bazë të cilit ligj do të paguhet tatimi për kriptovaluta si dhe sa është numri i personave që merren me këtë veprimtari.
Kriptovalutat janë para digjitale të cilat përmes një aplikacioni online blihen nga para reale.
Deri më tash ekzistojnë mbi pesë mijë kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat janë Bitcoin dhe Etherum.
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme./Insajderi.com