Rriten masat e sigurisë në Britani – ka rrezik për një sulm terrorist

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel: “Këto janë masa parandaluese në vazhdën e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kohëve të fundit në Francë dhe pas asaj që ndodhi mbrëmë në Austri dhe nuk janë masa të bazuara në një kërcënim specifik”.

Rriten masat e sigurisë në Britani – ka rrezik për një sulm terrorist

Niveli i sistemit të sigurisë kundër terrorizmit në Britani të Madhe është ngritur nga “substancial” në “të ashpër”.

Kjo lëvizje e institucioneve të sigurisë në Britani nënkupton se një sulm terrorist ka shumë gjasë që të ndodhë, megjithatë nuk ka diçka specifike deri tani, shkruan BBC, njofton Insajderi.

Ashpërsimi i masave po ndodhë vetëm 24 orë pas sulmit terrorist në Vjenë të Austrisë ku vdiqën katër persona.

Gjithashtu, javën e fundit, tre persona të tjerë vdiqën nga një sulm me thikë në Nice të Francës dhe një mësues ishte vrarë në Paris muajin e kaluar.

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel, tha se britanikët “duhet të jenë të vëmendshëm, por mos të alarmohen”.

“Këto janë masa parandaluese në vazhdën e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kohëve të fundit në Francë dhe pas asaj që ndodhi mbrëmë në Austri dhe nuk janë masa të bazuara në një kërcënim specifik”.

“Por, siç e kam thënë më parë, në përgjithësi ne në Britani jemi në ballafaqim të vazhdueshëm me kërcënime serioze nga terrorizmi”, tha Patel.

“Lus qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë për gjithçka të dyshimtë te policia”.