Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës është rritur numri i ankesave për produktet ushqimore jocilësore dhe pa afat.
Ky autoritet nga fillimi i vitit të kaluar e deri më sot ka asgjësuar mbi 700 kilogramë produkte ushqimore që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.
Po ashtu AUV-i në dy muajt e fundit ka shqiptuar rreth 250 gjoba për qytetarët dhe partitë politike që nuk i kanë respektuar masat kundër përhapjes së Coronavirusit.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi, ka theksuar se kontrollet në import të mallrave ushqimore janë realizuar qind për qind.
Sipas tij, çdo ngarkesë i është nënshtruar procedurave të rregullta të kontrollit dhe varësisht nga të gjeturat është vendosur për ngarkesat për t’u lejuar që të hyjnë në tregun tonë apo jo.
“Edhe nga statistikat që kemi nga departamenti për mbrojtje të konsumatorëve, jemi autoriteti që prijmë për nga numri i ankesave që vijnë pikërisht për shkak të besueshmërisë që kanë qytetarët në autoritetin tonë, sepse për të gjitha ankesat ata gjithmonë në kohë rekorde marrin përgjigje për rastet e raportuara. Raste e raportuara gjithmonë kanë marrë zgjidhje nga ana e inspektoratit dhe ky bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteti duhet të vazhdojë, sepse siguria ushqimore, është siguri e përgjithshme, e cila nuk i takon vetëm autoritetit”, tha ka thënë ai për KP.
Thaçi ka treguar edhe për llojin e produktit të orizit “Brown Rice Basmati organic 500g”, që është larguar nga tregu dhe për kujdesin që duhet pasur konsumatorët.
“Kemi edhe për këtë vit produkte që janë larguar nga tregu, janë asgjësuar. Është rasti i orizit që ka qenë i paketuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe është raportimi se ka një toksinë brenda këtij orizi dhe i cili ka qenë duke u tregtuar edhe në vendin tonë. Ndërsa, ne kemi vepruar me një herë në linjë me shtetet tjera në të cilat ka qenë i shpërndarë ky oriz…”, ka pohuar ai./Insajderi.com