Këtë vit Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka tejkaluar planifikimin e të hyrave nga tatimet, por edhe qarkullimi i bizneseve sivjet është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë 2020-tës ka pasur rënie 1.2 miliard euro në qarkullimin e bizneseve, për shkak të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Për periudhën janar-prill të këtij viti, ATK ka inkasuar 201.3 milionë euro taksa, ku në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje për 37.2% apo 54.6 milionë euro më shumë.
Drejtues të ATK-së konsiderojnë se në bazë të këtij trendi ka një stabilitet në mbledhjen e taksave.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa, thekson se krahasuar me planifikimin e të hyrave, ATK ka inkasuar 15.8 milionë euro më shumë ose 8.6%.
“Për këta katër muaj Administrata Tatimore Kosovës ka një performancë të mirë, është duke i tejkaluar pritshmëritë që i ka pasur krahas planifikimeve që ka bërë. Për periudhën janar-prill ne kemi inkasuar 201.3 milionë euro, që nëse krahasojmë me planin e vitit të kaluar ne kemi inkasuar më shumë 54.6 milionë euro, ndërsa nëse krahasojmë edhe me planifikimet të cilat i kemi pasur në këtë katër mujor, i bie që kemi inkasuar 15.8 milionë euro”, thotë Bytyqi Sefa.
Zëdhënësja e ATK-së po ashtu deklaron se nëse vazhdon ky trend pozitiv i të hyrave, presin një përmbyllje të kënaqshme të të hyrave deri në fund të vitit.
Ajo pohon se në krahasim me vitin e kaluar që ka pasur një rënie të qarkullimit për 1.2 miliard euro, këtë vit shihet që ka një stabilitet.
“Në vitin e kaluar kemi pasur një rënie të qarkullimit për 1.2 miliard euro dhe këtë vit shihet që kemi një stabilitet për këtë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar”, pohon Bytyqi-Sefa./Insajderi.com