Rroga të ulëta, kërcënime – jeta e futbollistëve që nuk shihet në TV

Rroga të ulëta, kërcënime – jeta e futbollistëve që nuk shihet në TV

Sipas një sondazhi të bërë nga “Fifpro Global Employment Report”,  një numër i madh futbollistësh rreth e qark botës jetojnë një jetë të pasigurt ku kontratat nuk respektohen dhe kontrolli që kanë mbi karrierën e tyre është minimale.

Sipas këtij sondazhi rreth 41 për qind e lojtarëve kanë hasur vonesa rrogash në dy sezonet e fundit.

Këtë sondazh e kanë plotësuar rreth 14,000 futbollistë që luajnë në 54 shtete evropiane, në kontinentin amerikan dhe Afrikë.

Sekretari i përgjithshëm i Fifpro, Theo Seggelen, thotë se ky sondazh tregon realitetin e industrisë së futbollit, e cila është komplet ndryshe nga ajo që mundojnë shumica e tifozëve, shkruan Telesport.

“Kjo tregon se jo të gjithë futbollistët kanë tre makina të ndryshme me tre ngjyra të ndryshme. Raportet sugjerojnë se kjo situatë duhet të ndryshojë menjëherë. Shpresoj që klubet ta kuptojnë se çfarë janë duke bërë dhe të ndihen fajtorë”, ka thënë Theo Seggelen.

Raporti tregon se 78% e lojtarëve nuk paguhen në kohë, por brenda tre muajve të lejuara nga rregullorja e FIFA-s.

Një lojtar anonim nga Rumania është shprehur se “sezonin e kaluar luajta 12 muaj në dy klube dhe nuk jam paguar për nëntë muaj”.

Gjithashtu ky sondazh tregon se kjo i ka detyruar që lojtarët të transferohen në klube tjera kundër dëshirës së tyre.

“29% e lojtarëve janë detyruar të transferohen në klube të tjerë kundër dëshirës së tyre me presionin e menaxherëve apo një palë e tretë”, thuhet në raportin e “Fifpro Global Employment Report”.

Ndërsa një tjetër fakt i çmendur është se 10% e 13,876 individëve janë kërcënuar nga tifozë, drejtuesit e klubit apo kolegë gjatë karrierës së tyre. Një shifër e lartë është vënë re në Skoci, ku 34% kanë raportuar akte dhune nga tifozët në ditën e ndeshjes.