Bizneset e dëmtuara nga masat e reja do të subvencionohen deri 50%

Bizneset e dëmtuara nga masat e reja do të subvencionohen deri 50%

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiq ka bërë të ditur se është takuar me ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, me të ka thënë se janë pajtuar për subvencionimin e 50% të pagave dhe të qerasë për bizneset e sektorit privat, përcjell Insajderi.

Rukiqi e ka cilësuar takimin përmbajtjesor, duke thënë se mjetet do të fillojnë të ndahen në fund të muajit prill ose më së largu në fillim të muajit maj.

“Sapo përfunduam një takim shumë përmbajtjesor me ministrin Murati. U dakorduam, që për sektorët e ndikuar direkt nga masat e fundit të subvencionohen 50% e pagave të punëtorëve (për muajin Prill), si dhe 50% e shpenzimeve të qerasë (për muajin Prill). Mjetet do të ndahen, në fund të muajit Prill, ose më së largu në fillim të muajit Maj”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se do të ndërmerren veprime shtesë për t’i përkrahur sektorët me specifika të veçanta, përfshirë sektorin e transportit dhe se kjo do të bëhet pas diskutimeve që do të zhvillohen me këta sektorë./Insajderi.com