Oda Ekonomike e Kosovës u ka kërkuar deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës që t’i rekomandojnë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që kalimi në tregun e rregulluar të shtyhet për vitin tjetër, pasi sipas tyre, nuk është i favorshëm në këtë kohë, përcjell Insajderi.
Kryetari i kësaj ode, Berat Rukiqi, ka thënë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendor.
Ai në një konferencë për medie të shtunën, ka thënë një mijë kompani do të preken drejtpërdrejt nëse ndodh që të rritet çmimi i energjisë elektrike.
“Ka dy tema bosht, e para është energjia çështja që lidhet me kalimin e konsumatorëve që janë të kyçur në rrjetin 10 kilovat në atë 35 kilovat që do të preken nga vendimi i Bordit. Ky vendim parasheh që këta konsumator të dalin në tregun e hapur të energjisë në kohën kur ky treg është i parregulluar dhe kjo do të bëjë që të ketë çmime më të larta për shume kompani”, ka thënë Rukiqi.
“Një mijë kompani do të ballafaqohen me rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në koston e tyre, dhe kjo rrezikon ato kompani që eksportojnë t’i humbin klientët e tyre. Dhe shumë lehtë këta prodhues mund ta humbin tregun nëse rritet kosto në kohën kur ballafaqohemi me pandemisë. Bashkë me Odën Amerikane i jemi drejtuar deputeteve që t’i u drejtohen Rregullatorit me një rekomandim që mundëson që kalimin në tregun e rregulluar të shtyhet për një vit pasi nuk është i favorshëm për këtë kohë”, ka shtuar ai.
Ndërsa, lidhur me Ligjin për Rimëkëmbje të miratuar nga Qeveria e Kosovës për t’i mbështetur bizneset e dëmtuara nga pandemia e COVID-19, Rukiqi ka thënë se nuk po zbatohet.
“200 milionë eurot e parapara për bizneset akoma nuk janë reflektuar. E patë protestën e auto-transportuesve të cilët deri më tani nuk kanë përfituar asgjë dhe kanë pasur shumë humbje. Ligji duhet të merr formën dhe përmbajtjet që bizneset të përballojnë pandeminë. Nëse nuk ka përkrahje financiare për disa sektorë do të jetë me pasoja”, është shprehur ai.
Rukiqi po ashtu ka kërkuar faljen e borxheve ndaj bizneseve të dënuara./Insajderi.com