Rukiqi: Qeveria e re duhet ta ketë prioritet rikuperimin nga pandemia

Rukiqi: Qeveria e re duhet ta ketë prioritet rikuperimin nga pandemia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se Qeveria e re duhet të ketë prioritet rikuperimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia, mirëpo sipas tij, kjo nuk mund të bëhet pa një plan konkret të daljes nga situata e krijuar prej pandemisë, transmeton Insajderi.

Rukiqi thotë se dalja nga pandemia lidhet drejtpërdrejtë me vaksinimin e popullatës, që siç thotë ai, kjo do t’i hapte rrugë lehtësirave për bizneset, mirëpo ai thekson nevojën që investimet kapitale duhet të vazhdojnë e cila do të mundësonte qarkullimin e shpejtë të parave dhe ruajtjen e vendeve të punës.

“Ne e kemi bërë të qartë që çdo qeveri duhet ta ketë prioritet për këtë vit rikuperimin e pasojave që i ka shkaktuar pandemia në ekonomi, por kjo nuk mund të bëhet pa e pasur një plan të qartë të daljes nga pandemia se tash vendet po flasin për një dinamik dhe një kalendar të daljes nga pandemia që është i lidhur drejtpërdrejtë nga vaksinimi i popullsisë dhe paralel me këtë të ndërmerren edhe veprime që shkojnë prej lehtësirave që mund të jenë për bizneset nga falja e gjobave, pastaj lehtësirat e ndryshme tatimore dhe deri tek ndihmat direkte financiare, por paralel me këtë duhet të vazhdojnë edhe investimet kapitale sepse ekonomia ka nevojë për para që futet shpejtë në qarkullim dhe e cila mund të ndihmojë në ruajtjen e vendeve të punës”, u shpreh Rukiqi.

Rukiqi ka folur edhe për pakot të cilat ishin ndarë për bizneset, mirëpo shton se pakot nga bizneset janë konsideruar të pamjaftueshme.

Mes tjerash ka potencuar që qeveria duhet të merr veprime konkrete për të ju dal në ndihmë bizneseve deri kur të kthehen në normalitet.

“Deri tash po konsiderohen të pamjaftueshme ky është koment i bizneseve, dhe realisht edhe pse ligji për rimëkëmbje ekonomike i ka paraparë 200 milionë euro ndihmë direkte për bizneset kjo nuk u realizua në praktikë dhe nuk u fut as si pjesë e buxhetit për më shumë edhe kur u proklamua si rimëkëmbje shumica e atyre mjeteve shkuan për skema sociale por jo si ndihma direkte për bizneset dhe kjo duhet me ndryshuar, ne nuk presim vazhdimisht që të kemi kësi lloj infuzione nga Qeveria, pra në një moment biznesi kthehet në normalitet por së paku deri sa të arrihet në normalitet ose ai kthimi në pikën zero duhet edhe një veprim i Qeverisë”, deklaroi Rukiqi. /Insajderi.com