Beresniki në rajonin Perm njihet për minierat e kaliumit. Qysh prej 80 vjetësh nxirret atje minerali i çmuar. Qyteti ushqehet prej tij, por njëkohësisht ai edhe po e shkatërron atë. Shumë banorë jetojnë me frikë.
Asnjë shenjë nuk të tregon katastrofën. Në vështrim të parë jo, sepse syri të kap liqene të kaltër, kisha të kuqe. Po ashtu edhe parcela të mbjella me domate, patate e kopër. Një vend idilik në Ural. Nëse qëndron në kopsht nuk sheh asgjë prej katastrofës.
Ky është oborri i Irina dhe Andrej Chorov. Që të dy rreth të dyzetave. Prej 13 vjetësh ata jetojnë këtu, qëkurse arritën ta realizojnë ëndrrën e jetës së tyre, shtëpinë e tyre. Por tani atyre u duhet të përjetojnë se si kjo ëndërr po pëson të çara në mure dhe se si lumturia e tyre familjare gradualisht po shembet si një shtëpi prej letrash, shkruan Gazeta Shqip.
“Ngado ka krisje e të çara edhe këtu sipër. Shtëpia po anohet. Dyert nuk i hapim dot më si duhet. Shtëpia po bie dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë.”
Por edhe sa kohë do të vazhdojnë të jetojnë këtu, ata nuk e dinë. Katastrofa bëhet e dukshme, kur largohesh prej kopshtit të tyre. Kur hyn brenda në shtëpi shesh mure të çara nga do. “Shtëpia është anuar. Bën zhurmë, e vazhdon gjithmonë kështu”, thotë Andrej. Beresniki në Ural, njihet edhe si Atlantisi rus. Një qytet që po mbytet. E megjithatë ata nuk duan të dorëzohen. “Ne presim dhe shpresojmë”, thotë Andrej.
Masa mbrojtëse të vonuara
Uralkali, një ndër prodhuesit më të fuqishëm të kaliumit në botë. Ne udhëtojmë përmes galerive të minierës, që është tetë herë më e madhe se qyteti.
Për dekada minatorët kanë gërmuar në thellësi dhe kanë krijuar një zbrazëti të paimagjinueshme prej 84 milionë metër kub.
Një ndjenjë ankthi, kur e di, që kjo minierë do të shembet. Kjo për arsye se minatorët sovjetikë kanë gërmuar me lakmi e jo gjithmonë sipas normave. Kësisoj një ditë depërtoi uji në minierë dhe shtresat e kripës u tretën, shkëmbinjtë sipër u rrëzuan në gropat e përmbytura. Sipërfaqja u fundos e që nga ajo kohë në disa lagje të qytetit janë krijuar kratere.
Uralkali siguron, se galeritë sot janë shumë të sigurta. Nuk ka rrezik për popullsinë, thotë Alexander Kladov nga firma Uralkali: “Mbulesa mbahet me të ashtuquajturat spiranca. Njërën e shihni këtu të ngulur në fund. Ajo ngulet me turielë dhe e mban mbulesën në shtresën e sipërme më të fortë të potasës. Kjo e bën të gjithë konstruktin të qëndrueshëm.”
Por masa të tilla qëndrueshmërie nuk kanë më dobi dhe janë me shumë vonesë për Irina dhe Andrej Chorov. Shtëpia e Chorovëve është në radhën e fundit të shtëpive para një zone të rrezikuar, në të cilën e gjithë ndërtesa po zhytet disa metra. Një djerrinë e zbrazur. “Gardhi atje matanë është kufiri me zonën e rrezikuar. Ky kufi nuk duhet kaluar. Por ne na duhet të jetojmë këtu.”
Stacioni i trenit në Beresniki është mbyllur. Këtu merr fund bota e banueshme. Kisha, dikur simbol i besimit të riforcuar në Rusi mund të gëlltitet në çdo çast prej tokës. Edhe këtu ka rrezik jete. Nga blloku i banesave me parafabrikate pas gardhit janë evakuuar dy mijë vetë.
Para nëntë vjetësh u hap toka këtu në një sipërfaqe prej disa qindra metër katror, duke gëlltitur nën vete ndërtesën e administratës. Ndërkohë zona të tilla të rrezikuara vrojtohen me kamera, të dëmtuarit i zhdëmtojnë. Por jo të gjithë. /Insajderi.com