Rusia dhe Ukraina dëbojnë diplomatët e njëra-tjetrës mes tensioneve në rritje mes tyre

Rusia dhe Ukraina dëbojnë diplomatët e njëra-tjetrës mes tensioneve në rritje mes tyre

Rusia ka urdhëruar një diplomat ukrainas të largohet nga vendi pasi dyshohet se ka marrë informacion të klasifikuar nga një bazë të dhënash të agjencisë kryesore të sigurisë së vendit dhe Ukraina u përgjigj duke dëbuar një diplomat rus, transmeton Insajderi.

Oleksandr Sosoniuk, konsulli ukrainas në Shën Petersburg, u arrestua të premten ndërsa po takohej me një rus në të cilin ai mori materiale nga një bazë e të dhënave e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), tha agjencia, raporton Al Jazeera.

Të shtunën, ministri i Jashtëm rus informoi të ngarkuarin me punë Vasily Pokotilo se Sosoniuk duhet të largohet nga vendi deri të enjten. Asnjë detaj në lidhje me përmbajtjen e materialit të klasifikuar nuk u bë publik.

Ministria e Jashtme ukrainase më vonë tha se ka urdhëruar një diplomat të lartë rus të largohet.

FSB më herët tha se Sosoniuk ishte kapur “në flagrancë” gjatë një takimi me një shtetas rus ndërsa kërkonte të merrte informacione “të klasifikuara”.

“Një veprimtari e tillë nuk është në përputhje me statusin e tij diplomatik dhe është e natyrës qartësisht armiqësore ndaj Federatës Ruse”, tha FSB.

“Në përputhje me ligjin ndërkombëtar, do të merren masa ndaj diplomatit të huaj”.

Dëbimet vijnë në mes të tensioneve të përshkallëzuara për grumbullimin ushtarak të Rusisë përgjatë kufirit me rajonin lindor të Ukrainës që është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se Sosoniuk u mbajt për disa orë por tani ishte përsëri në konsullatën e vendit në Shën Petersburg.

Në vitet e fundit, Rusia ka ndaluar një numër të shtetasve ukrainas nën dyshimin e spiunimit, por ndalimi i një diplomati është i rrallë.

“Një incident si ky, ndalimi dhe tani në dukje dëbimi i këtij diplomati, vetëm mund t’i përkeqësojnë gjërat dhe të rrisin tensionin në këtë rajon edhe më shumë”, tha Charles Stratford i Al Jazeera, duke raportuar nga Kyiv.

Kyiv po lufton me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës që nga viti 2014 dhe përleshjet janë intensifikuar që nga fillimi i vitit, duke copëtuar një armëpushim të rënë dakord në korrikun e kaluar. /Insajderi.com