Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se vendimi i Bashkimit Evropian, dhe disa vendeve tjera evropiane për mosnjohjen e legjitimitetit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, “është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, transmeton Insajderi.
Në një deklaratë për gazetarët rus në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, tha “këto vendime janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Këto vendime, nuk kontribuojnë kategorikisht në zhvillimin e dialogut. Vendet në fjalë do të ngadalësojnë dhe do të vështirësojnë dialogun me Bjellorusinë. Në të vërtetë, këto janë ndërhyrje indirekte në punët e brendshme të Bjellorusisë”, tha Peskov duke bërë të ditur se “nuk i mirëpresin” vendime të tilla, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency.
Në anën tjetër, në lidhje me raportet Rusi – Bjellorusi, Peskov, tha “Bjellorusia dhe Rusia janë vende sovrane që formojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura prej vendeve të tjera”. /Insajderi.com