Rusia kërkon tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani

Rusia kërkon tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani

Në takimin e delegatëve talibanë dhe politikanëve afganë në Moskë, Rusia ka bërë thirrje për tërheqje të plotë të forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, e dha këtë deklaratë gjatë ceremonisë së shënimit të 100-vjetorit të fillimit të marrëdhënieve diplomatike mes Rusisë dhe Afganistanit.

Ceremonia u pasua nga bisedimet mes përfaqësuesve të talibanëve dhe politikanëve afganë, përfshirë udhëheqësit e lartë rajonalë dhe kandidatët që po e sfidojnë presidentin Ashraf Ghani për zgjedhjet presidenciale të shtatorit.

“Bëjmë thirrje për tërheqje të plotë të forcave të huaja nga Afganistani. Bëjmë thirrje gjithashtu nga të gjitha palët afgane t’i nisin bisedimet sa më shpejt që është e mundur, duke përfshirë një grup të gjerë të forcave shoqërore dhe politike”, tha Lavron gjatë pritjes së delegacionit të talibanëve, pavarësisht se ky grup cilësohet si organizatë terroriste nga autoritetet ruse.

Besohet se kjo deklaratë iu drejtua Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë mijëra trupa në Afganistanë për gati dy dekada. “Rusia është e bindur se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të konfliktit në Afganistan. E vetmja rrugë e mundshme është arritja e paqes përmes politikës dhe diplomacisë”, tha Lavrov.

Largimin e trupave të huaja nga Afganistani e kërkoi edhe shefi i talibanëve për negociata, Mullah Baradar Akhund. Ai tha: “Ne dëshirojmë paqe, por hapi i parë është largimi i pengesave për paqe dhe përfundimi i pushtimit të Afganistanit”, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.