Rusia ua ka ndaluar hyrjen dy linjave ajrore evropiane, pasi ato kanë planifikuar të shkojnë drejt Moskës duke e shmangur fluturimin mbi Bjellorusi, transmeton Insajderi.
Kjo për shkak se disa kompani ajrore të Evropës janë duke e shmangur hapësirën ajrore të Bjellorusisë si shenjë proteste, nga momenti kur ky shtet e kishte detyruar aeroplanin Ryanair të devijonte fluturimin të dielën, pasi kishte për të shkuar nga Greqia në Lituani dhe u detyrua të ateronte në Minsk.
‘Air France’ dhe ‘Austrian Airlines’ janë kompanitë e refuzuar nga Rusia, shkruan ‘BBC’.
“Rusia është një aleate e fortë e Bjellorusisë dhe ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e saj ndaj ish-kombit sovjetik dhe qeverisë së saj”, shkruan kjo media.
Kjo është lëvizja e parë nga Kremlini për konfliktin diplomatik midis Bjellorusisë dhe vendeve perëndimore. Rusia ende nuk ka dhënë deklaratë se a do të refuzohen të gjitha fluturimet e vendeve perëndimore.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndaluar linjat ajrore Bjelloruse të fluturojnë mbi territoret e tyre dhe kanë thënë që do të vijnë më shumë sanksione, përfshirë kundër presidentit të Bjellorusisë prej 27 vjetësh, Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të tjerë të lartë./Insajderi.com